Robert Elsie

Fjalori historik i Shqipërisë

Shqip: Eva Bani ISBN 978-9928-03-095-5 Uegen, Tirana 2011 735 pp. Botimi i ri i Fjalorit Historik të Shqipërisë aktualizon informacionin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët deri në mes të vitit 2009. Hartimi i një fjalori historik për një vend të tërë, dhe në rast të një vendi të vogël si Shqipëria është mjaft i vështirë, dhe bëhet edhe më i vështirë po të marrim parasysh se Shqipëria ka qenë historikisht vend i mbyllur. Kjo vlen në mënyrë të veçantë sepse ende nuk ekziston një shkencë historiografike e besueshme dhe objektive në Shqipëri e cila do të shërbente si bazë për një libër të tillë. Censura dhe vetëcensura politike për dhjetëvjeçarë bashkë me patosin nacionalist në shekuj kanë prodhuar shumë mite dhe shtrembërime. Historianët dhe akademikët shqiptarë e kanë pasur të vështirë të heqin dorë prej kultit dhe glorifikimit të heronjve dhe të hedhin pas krahëve deklaratat pompoze të madhështisë kombëtare. Historia shqiptare noton mes mitesh të cilat kanë shërbyer si mburojë dhe maskë për të fshehur kompleksin e inferioritetit të një populli të vogël dhe të varfër, por nga ana tjetër mitet kanë shërbyer si mjet bashkimi në kohë krizash për kombin. Poeti Dritëro Agolli e ka cilësuar Shqipërinë si vend që ka prodhuar më shumë histori sesa grurë. Ata pak historianë të huaj që e kanë trajtuar në thellësi historinë shqiptare dhe kanë botuar në këtë fushë, kanë rezultuar më të besueshëm, duke punuar nga një këndvështrim më objektiv. Megjithatë ende mbizotërojnë pretendime të gabuara dhe pikëpamje naive. Ende nuk është hartuar një histori e plotë, e gjithanshme dhe e besueshme për Shqipërinë. Ky libër nuk synon të mbushë këtë zbrazëti. Ai i ofron lexuesit vetëm të dhëna të përgjithshme faktike në lidhje me vendin, zhvillimin e tij historik, rrethanat aktuale dhe kulturën e popullit shqiptar. Shumica e rreth 750 termave në Fjalorin Historik të Shqipërisë janë në lidhje me individë. Aty përfshihen jo vetëm personalitete të historisë shqiptare por edhe figura publike dhe drejtues politikë të kohës së sotme, si dhe studiues shqiptarë e të huaj që kanë dhënë kontribut të ndjeshëm në studimet dhe kulturën shqiptare. Bibliografia e pasur në fund të vëllimit, e cila mbase plotëson më shumë nevojat e lexuesit anglishtfolës sesa të lexuesit shqipfolës, është lënë si në versionin anglez. Thënë shkurt, Fjalori Historik i Shqipërisë rreket të japë një përmbledhje të gjerë jo vetëm të historisë shqiptare, por edhe të Shqipërisë së ditëve tona në këtë fillim shekulli, duke hedhur dritë sa në të kaluarën, po aq edhe në tashmen e këtij vendi evropian i cili përpiqet të ndahet nga e kaluara staliniste dhe mungesa e zhvillimit. Nuk duhet harruar se për një gjysmë shekulli, Shqipëria ishte si planet më vete i ndarë prej Tokës mëmë. Që prej rënies së komunizmit, shqiptarët janë në kërkim të mundimshëm të vendit të tyre në familjen e kombeve evropiane. Robert Elsie Hagë, Holandë
Robert Elsie