Robert Elsie
Fjalor historik i Kosovës
Përktheu nga anglishtja Majlinda Nishku
ISBN 978-99943-5170-1
Skanderbeg Books, Tirana 2011
436 pp.
Ky botim i dytë i Fjalorit Historik të Kosovës, i rishikuar dhe zgjeruar në mënyrë të
konsiderueshme, i jep lexuesit informacione më të fundit për Kosovën dhe popullin e saj deri
në mes të vitit 2010, duke përfshirë kështu periudhën e administrimit ndërkombëtar deri te
shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, dhe më tej.
Kosova është një tokë e lashtë, por që mediumet dhe bota perëndimore në të vërtetë e
‘zbuluan’ vetëm gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990 të shekullit të kaluar, fillimisht
thjesht si një re tjetër e zezë që u shfaq në horizont, diku përtej Bosnjës. Që prej atëherë, u
vërshuan një varg botimesh brenda një kohe relativisht të
shkurtër, pjesa më e madhe e të cilëve fokusoheshin tek lufta e
Kosovës e viteve 1998-1999, shtypja e tmerrshme politike dhe
gjendja tejet e rëndë e të drejtave të njeriut nën regjimin serb,
kriza humanitare dhe ushtarake që u shkaktua si pasojë e tyre,
çështja shumë e kontestuar e statusit dhe pavarësisë, si dhe
politika ndërkombëtare që lidhej me të. Pavarësisht nga gjithë
kjo vëmendje dhe nga prania e institucionalizuar e bashkësisë
ndërkombëtare që prej vitit 1999, Kosova ende nuk është fort e
njohur si vend.
Fjalori Historik i Kosovës orvatet ta balancojë këtë problem dhe ta
paraqesë Kosovën në një kornizë më të gjerë. Ai përqendrohet jo
vetëm tek shumë prej çështjeve të mësipërme, që sigurisht, ende ia vlen t’u kushtohet
vëmendje, por shpreson gjithashtu t’i japë lexuesit të interesuar informacione për Kosovën si
një vend me një kulturë të pasur dhe histori të gjatë, ose më mirë, si një vend me disa kultura
dhe, siç mund të thotë dikush me paksa ironi, me disa histori. Kosova është më tepër se sa
një krizë problematike sigurie për Perëndimin. Ajo është një vend i ri evropian, me rreth dy
milion banorë, një tokë poetësh dhe shkrimtarësh, piktorësh dhe skulptorësh, dijetarësh dhe
artistësh. Është një tokë monumentesh kulturore, ndër të cilat xhami osmane me zbukurime
të imta dhe kisha e manastire të vjetra ortodokse, tregje orientale, fushëbeteja e peizazhe të
mahnitshme. Kosova është gjithashtu një vend me burime të konsiderueshme natyrore dhe
një popullsi të re e optimiste, të etur për ta bërë atdheun e vet pjesë përbërëse të Evropës. Ajo
është një demokraci e re me potencial të madh, por që, padyshim, ka trashëguar shumë
probleme të mëdha nga e shkuara e errët.
Pjesa më e madhe e 475 zërave që përfshihen në botimin e dytë të këtij Fjalori Historik të
Kosovës u kushtohen njerëzve dhe personaliteteve. Këta nuk janë vetëm figura historike, por
edhe figura të sotme publike dhe udhëheqës politikë, si dhe individë që kanë dhënë
kontribute të shquara në arte dhe shkencë.
Pa lënë pas dore pakicat kombëtare të serbëve, boshnjakëve, romëve dhe turqve, ky vëllim
niset nga realiteti i Kosovës së sotme të pasluftës, si një vend kryesisht shqipfolës. Në
përputhje me këtë, aty ku nuk specifikohet ndryshe, zërat për personat bëjnë fjalë për
individë nga grupi i shumicës shqiptare, i cili përbën rreth 92 për qind të popullsisë.
Thuhet shpesh që popujt e Ballkanit kanë marrë përsipër më tepër histori nga ç’mund të
mbajnë. Shpresojmë që ky vëllim t’ua lehtësojë disi lexuesve barrën e të kuptuarit të kësaj
historie dhe t’i ndihmojë ata ta njohin Kosovën, anëtaren e re të familjes evropiane.