Edward Lear në Shqipëri:

ditar udhëtimesh, 1848-1849

Përkthyer nga origjinali Majlinda Nishku Redaktuar nga Bejtullah Destani dhe Robert Elsie Me parathënie nga Vivien Noakes ISBN 99956-706-7-4 Plejad, Tirana, 2008 312 pp. PARATHËNIE Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte koha kur Europa zbuloi Shqipërinë. Ishte pikërisht atëherë që udhëtarët e huaj filluan të depërtojnë në këndin më të largët e më të panjohur të Europës, që historiani anglez Eduard Gibon (Edward Gibbon) e përshkruante si “një vend në fushëpamje të Italisë por më pak i njohur se thellësitë e Amerikës.” Udhëtarët e parë europianë udhëtuan në drejtim të veriut, nga Greqia për në vendin ku sundonte Ali Pashë Tepelena. Ndër ta ishin diplomati Fransua Pukëvil (François Pouqueville) në vitin 1806, arkeologu Uilliam Martin Lik (William Martin Leake), poeti i famshëm anglez, Lord Bajron dhe bashkudhëtari i tij Xhon Kameron Hobhaus (John Cameron Hobhouse) në vitin 1809, dhe mjeku Henri Holland (Sir Henry Holland) më 1812-1813. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e tyre shkuan përtej tokave të Ali Pashës, që sot shtrihen në pjesën veriperëndimore të Greqisë dhe në Shqipërinë jugore. Poeti dhe piktori anglez Eduard Lir (1812-1888) ndoshta ka qenë i pari udhëtar e shkrimtar që bëri një udhëtim të plotë nëpër Shqipëri, jug e veri, ndonëse kjo ndodhi në mënyrë disi të rastësishme. Në shtator të vitit 1848, kur po shkonte në Greqi dhe mbërriti në Selanik, ku e kishte lënë të takohej me shokun e tij të udhëtimeve Çarlz Çërç (Charles Church), atje shpërtheu një epidemi kolere. E vetmja mënyrë për të dalë nga Selaniku dhe për të shmangur një karantinë të gjatë, ishte që të shkonte drejt veriut, drejt një territori të panjohur, përmes viseve të pashkelura shqiptare. Dhe Liri guximtar pikërisht këtë bëri. Ditari i udhëtimeve të tij nëpër Shqipëri, nga Manastiri për në Ohër, Tiranë dhe Shkodër, dhe pastaj prej atje në drejtim të jugut në Himarë, Çamëri dhe Greqi, është një prej librave më të mrekullueshëm që janë shkruar ndonjëherë për këtë vend në gjuhën angleze. Eduard Liri lindi në Hajgeit (Highgate) në periferi të Londrës, i njëzeti nga njëzet e një fëmijë. Ai qe djalë shëndetlig dhe vuajti që në moshë të njomë nga epilepsia dhe depresioni. Në vitin 1816 i ati e humbi të gjithë pasurinë në disa investime të dyshimta dhe familja ra në varfëri. Eduardin e rriti më shumë motra e tij e madhe Ana. Në moshën e adoleshencës, për të fituar jetesën, filloi të bënte ilustrime dhe piktura. Me librin e tij të parë “Ilustrime të Familjes së Psitacidëve”ose papagajve (Illustrations of the Family of the Psittacidae), botuar nga Shoqëria Zoologjike e Londrës në vitin 1832, ai bëri emër si ilustrues i talentuar i zogjve. Pasi punoi për një farë kohe për Muzeumin Britanik, Liri mori një porosi nga Ërli i Darbit (Earl of Derby) që të pikturonte peizazhe të Mesdheut dhe, për këtë, në vitin 1837 shkoi në Itali. Atje qëndroi dhjetë vjet: klima i bënte mirë për shëndetin dhe mënyra e jetesës i shkonte më për shtat temperamentit të tij. Fryt i udhëtimeve të tij në Itali është libri “Ditari i një piktori peizazhist në Kalabrinë e Jugut” (Journals of a Landscape Painter in Southern Calabria), Londër 1852. Më vonë Liri shtegtoi më tutje. Ambasadori britanik në Kostantinopojë mundi t’i siguronte dokumentet e duhura për të udhëtuar në Egjipt dhe pjesë të tjera të Perandorisë Osmane. Pra, në vjeshtën e vitit 1848, Eduard Liri u gjend në një udhëtim të paplanifikuar nëpër Shqipëri. U nis nga Selaniku dhe arriti në Manastir me 20 shtator, i shoqëruar nga dragomani i tij vramuz, Jorgo Kokali, shqiptar i krishterë nga Suli, që vazhdoi t’i bënte shoqëri për një kohë të gjatë edhe në vitet e mëvonshme. Që atje vazhduan rrugën për Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër, ku arritën më 2 tetor. Pasi disa ditësh të kaluara aty, u kthyen në Tiranë, dhe pastaj vazhduan në drejtim të jugut për në Kavajë, Berat (14-18 tetor), Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës (21-30 tetor), Tepelenë, Gjirokastër dhe pastaj në Janinë (5 nëntor) dhe Greqi. Rrëfimi i gjallë i këtij udhëtimi u botua në librin e tij “Ditar i një piktori peizazhist në Shqipëri” (Journals of a Landscape Painter in Albania), Londër 1851. Si ditari, ashtu edhe mjaft prej peizazheve që pikturoi dhe skicave që bëri gjatë udhëtimit, ofrojnë një dokumentim të saktë topografik të Shqipërisë së mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Nga viti 1849 deri më 1853 Liri qëndroi në Angli, por më pas u kthye përsëri në Mesdhe. Për vite me radhë jetoi në Korfuz (1855-1864), më vonë në Kanë, dhe më së fundi në San Remo ku ndërtoi Vilën Emilia. Eduard Liri vdiq më 29 janar 1888 dhe prehet në një varrezë të San Remos, përkrah dragomanit të tij shqiptar. Ndër botimet e tjera të Lirit përfshihen “Pamje në shtatë ishuj të Jonit” (Views in Seven Ionian Islands), Londër 1863, dhe “Ditar i një piktori peizazhist në Korsikë” (Journal of a Landscape Painter in Corsica), Londër 1870. Megjithatë, më tepër se si piktor e udhëtar, Liri në Angli mbahet mend si poet, si autor i së ashtuquajturës letërsi “gjepurash”, sidomos në zhanrin e poezive të shkurtra humoristike të quajtura limerikë, që ai e bëri mjaft popullor. Ndër botimet e tij letrare që lexohen me ëndje edhe sot, përfshihen: “Libër gjepurash” (Book of Nonsense), Londër 1846, “Më shumë gjepura” (More Nonsense), Londër 1872, dhe “Limerikë” (Book of Limericks), Boston 1888. “Ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri” është një nga librat më zbavitës të shkruar për Shqipërinë në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Është vërtet një kënaqësi kur e lexon. Njerëz si unë, që e “zbuluan” dhe vizituan Shqipërinë një shekull e gjysmë më vonë, i kuptojnë mirë çuditë me të cilat përballej Liri. Madje shumë prej manierave, përvojave durim-provuese dhe mrekullive, për të cilat rrëfen Liri në shtegtimin e tij nëpër malet e Shqipërisë, përmes baltës e rrebesheve të shiut, ende mund t’i hasësh në vend edhe sot. Ky vëllim i Lirit për Shqipërinë është ribotuar disa herë në gjuhën angleze, më së shumti nën tituj si “Eduard Liri në Greqi” (Edward Lear in Greece, 1965), ose “Ditar i një piktori peizazhist në Greqi e Shqipëri” (Journal of a Landscape Painter in Greece and Albania, 1988), kjo për arsye të sigurimit të shitjeve. Në këtë botim të fundit ne vendosëm t’i kthehemi përsëri titullit të origjinalit. Shpresojmë që ky botim i parë në gjuhën shqipe, nën përkthimin mjeshtëror të Majlinda Nishkut, do t’i japë lexuesit shqiptar po aq kënaqësi sa i ka dhënë edhe lexuesit anglisht-folës për më se njëqind e pesëdhjetë vjet.             Robert Elsie Hagë shtator 2008
Robert Elsie