Evlija Çelebiu në Shqipëri
dhe në viset fqinje:
Kosovë, Mali i Zi, Ohër
Në bazë të dorëshkrimit autograf
Përgatitur nga Robert Elsie
Përkthyer nga Abdurrahim Myftiu
ISBN 99943-56-42-9
Shtëpia Botuese 55, Tirana 2008
213 pp.
PARATHËNIE
Udhëtari i njohur turk Evlija Çelebi (1611-1684), pseudonimi i Mehmet Zili ibn Dervish-it,
ishte biri i një argjendtari në oborrin e sultanit në Stamboll. Nga viti 1640 deri në vitin 1676 ai
udhëtoi gjerësisht në Perandorinë Osmane dhe në vendet fqinje, edhe për vetë edhe në
shërbim të Portës së Lartë, d.m.th. të qeverisë osmane.
Mbresat i udhëtimeve të tia ruhen në veprën e tij
turqisht dhjetëvëllimesh Sejahatname (Libri i
Udhëtimeve), të cilën ai e mbaroi në Kairo kur ishte i
moshuar.
Për Shqipërinë e shekullit shtatëmbëdhjetë,
Sejahatnameja e Evlija Çelebiut është një burim parësor
dhe i pakrahasueshëm të dhënash. Evlijai vizitoi viset
shqiptare tri herë. Kreu një udhëtim nëpër Kosovë në
dhjetor të vitit 1660, nëpër Shqipërinë veriore dhe Malin
e Zi në shkurt 1662, si dhe nëpër Shqipërinë jugore në
nëntor 1670. Në këtë vëllim kemi nxjerrë përshkrimet
për këto vise që përbëjnë një pjesë të mirë të vëllimeve
V-VIII të veprës turqisht, për herë të parë në bazë të
dorëshkrimit autograf.
Për udhëtimin e parë Çelebiu mori shkas nga
transferimi i të zotit të tij, Meleq Ahmed Pashës, nga
posti i guvernatorit të Bosnjës, me seli në Banja Luka, në atë të guvernatorit të Rumelisë, me
seli në Sofie. Bashkë me karvanin e Pashait, Evlijai i ra Kosovës mes për mes, duke bërë
ndalesa në Mitrovicë, Vushtrri, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Kaçanik. Ky udhëtim përbën
Pjesën I të këtij vëllimi, që po ua paraqesim.
Një vit e pak më pas, Meleq Pasha sapo qe kthyer në Beograd nga pjesëmarrja e
drejtpërdrejtë në një operacion ushtarak të trupave osmane në Transilvani, kur u thirr në
kryeqytet. Me që nuk i mjaftonin fondet, ai e dërgoi Evlija Çelebiun në Shqipëri për të
mbledhur një dorë borxhesh. Gjatë rrugës, Evlijai bëri ndalesa në Tiranë, Lezhë, Shkodër,
Podgoricë dhe Ulqin, e më pas, kaloi nga Shkodra dhe Gjakova në Sofie, ku e takoi përsëri
Meleq Pashën para se të kthehej në Stamboll. Kjo përbën Pjesën II të vëllimit që po ju
paraqesim.
Evlijai mori pjesë në fushatën e Kandias dhe në pushtimin përfundimtar të Kretës prej
osmanëve më 1669. Vitin tjetër, pas marrjes së Manias në Peloponez, komandanti osman Ali
Pasha e dërgoi Evlijain me mision në Shqipëri që të kërkonte trupa ushtarake dhe mjeshtër
zanatçinj të merreshin me rindërtimin e kalasë së Zarnatës, në mënyrë që Mania ta kishte si
mbrojtje kundër ndonjë përpjekjeje të venedikasve për ta ripushtuar. Evlijai kaloi nga
Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Berati, Vlora, Durrësi, Kavaja, Elbasani, Ohri dhe
Pogradeci, e më pas vijoi udhën mes për mes Maqedonisë e Bullgarisë deri në oborrin osman
në Ederne. Kjo përbën Pjesën III të këtij vëllimi, që po ua paraqesim.
Sejahatnameja përmban material të pasur për gjeografinë, folklorin dhe historinë e kulturës të
vendeve të shkelura prej Evlijait. Për Shqipërinë e shek. XVII, e sidomos për brendësinë e
këtij vendi, Sejahatnameja është një minierë të dhënash dhe një vepër me vlera të
paçmueshme. Burime të tjera për historinë e Shqipërisë të kësaj periudhe gjenden rrallë. Ajo
pako gjë që ka ardhur deri në ditët tona nga analet e mjegullta të historisë së hershme
shqiptare, është përpiluar e përfshirë në Zamputi 1989, 1990. Ndër këto dokumente janë ato
të korrespondencës juridike e tregtare me Venedikun dhe Raguzën (Dubrovnikun), raportet
ekleziastike dërguar Propaganda Fide-s në Romë, si dhe regjistrat turke. Megjithatë, për nga
vlera dhe rëndësia ato të gjitha janë të zbehta krahasuar me pjesët përkatëse nga
Sejahatnameja të botuara këtu.
Vepra e Evlijait na jep imtësisht itineraret e shtegtimeve të tij, ndër to, mes shumë e shumë
gjërash të tjera, përshkrime çuditërisht të sakta të pazareve, kalave, xhamive, vendeve të
përnderimit dhe shesheve të dëfrimit. Me përjashtim të disa rrugëve ku gëlonin kusarët,
Shqipëria e përshkruar nga Evlijai është jashtëzakonisht e begatë dhe e mirëqeverisur, me një
kulturë mjaft të zhvilluar. Sistemi administrativ osman është aq fort i ngulitur sa që kur, në
Pjesën III, Evlijai na përcjell fermanet sulltanore për mbrojtjen e Manias, del se kontigjentet
ushtarake mobilizohen e mblidhen pa kurrfarë pengese dhe menjëherë marshojnë drejt
Peloponezit. Nëse zbatimi i kësaj mase drakoniane ka hasur ndonjë vështirësi apo ka ngjallur
ndonjë kundërshtim, këtë Evlijai nuk e zë në gojë. Çka ka shkruar ai është me rëndësi edhe
për njohjen nga ana jonë të përhapjes së besimit islam e të tarikateve të dervishëve në
Shqipëri.
Përshkrimet e dhëna nga Evlijai për qytetet dhe fshatrat shqiptare na zbulojnë se këto
ngërthenin të gjitha elementet e një kulture islame të përpunuar hollë, nga e cila tragjikisht
vetëm pak gjurmë kanë shpëtuar gjatë rrjedhave të historisë.
Lidhur me këtë botim, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time turkologut të njohur dhe
specialistit të Evlija Çelebiut, Robert Dankoff, profesor i Universitetit të Çikagos, për
tejshkrimin e dorëshkrimit autograf dhe për bashkëpunimin e ngushtë në botimin tonë
anglisht Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohrid), Leiden 2000,
i cili shërben si bazë për këtë botim në shqipe.
Robert Elsie
Hagë, Holandë
janar 2007
TRYEZA E LËNDËS
Parathënie
Pjesa I - Nëpër Kosovë, 1660
Pjesa II - Nëpër Shqipërinë e Veriut dhe Malin e Zi, 1662
Pjesa III - Nëpër Shqipërinë Jugore, 1670
Fjalorth
Facsimile
Bibliografi