Robert Elsie
Leksiku i kulturës popullore shqiptare Modern
Besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore
ISBN 99943-683-4-6
Skanderbeg Books, Tirana 2005
282 pp.
PARATHËNIE
Sipas dokumentave historike, shqiptarët
kanë qenë të pranishëm në Europën
juglindore që prej rreth një mijë vjetësh, por
rrënjët e tyre zbresin shumë më thellë në
mjegullat e lashtësisë. Në fillim, një bashkësi
e vogël baritore në hapësirat më të thella të
Ballkanit, shqiptarët u shtuan në numër dhe
përhapën ngulimet e tyre në mbarë trevat
jugperëndimore të gadishullit. Me kalimin e
kohës, si dhe me gjallërinë e këmbënguljen
që i kanë në gjak, e me shumë fat, ata erdhën
e zunë vendin që kanë sot në radhën e
shteteve kombëtare të Europës.
Mirëpo, edhe sot, në të hyrë të shekullit XXI,
termi 'shtet kombëtar në Europë' nuk eshtë
krejtësisht i përshtatshëm për shqiptarët.
Jeta e tyre dhe kultura e tyre janë ato të një
vendi në zhvillim, të një vendi të Botës së
Tretë që lufton për të mbijetuar në të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Në pikëpamje materiale,
ata kanë qenë të privuar nga gjithçka përveç gjërave më të domosdoshme për të mbajtur
frymën gjallë. Madje, zhvillimi historik, politik, ekonomik dhe kulturor i shqiptarëve ka qenë
aq i mundimshëm sa që ata që i njohin mirë nuk mund të mos mahniten se si kanë arritur të
mbijetojnë si popull.
Vetëm në një kuptim kanë qenë të pasur shqiptarët. Kultura popullore tradicionale e tyre, e
cila ka ardhur e është zhvilluar gjatë shekujve në kushtet e një veçimi relativ, paraqet një
begati befasuese elementesh. Megjithatë, kjo kulturë, pa dijen e së cilës Ballkani kurrsesi nuk
ka si të kuptohet, ka mbetur pak e njohur për botën Perëndimore, madje edhe ndër
antropologët dhe etnografët që merren posaçërisht me Ballkanin. Punimi që po paraqesim
këtu synon ta mbushë këtë zbraztësi, sado në mënyrë modeste.
Thelbi i këtij Leksiku të Kulturës Popullore Shqiptare janë besimet. Ai në masë të madhe
përqëndrohet në figurat e mitologjisë shqiptare, të besimeve fetare, të bashkësive, urdhrave
dhe sekteve fetare që kanë qenë të pranishme në Shqipëri, të shenjtëve e shenjtorëve, burra e
gra, që kanë luajtur rol në besimet e shqiptarëve, të vendeve të shenjta e objekteve të kultit, të
festave kalendarike, të ritualeve e të bestytnive popullore. Të lidhura ngushtë me botën e
besimeve e të bestytnive janë ato që, në një kuptim të përgjithshëm, mund të cilësohen si
doke e zakone popullore. Edhe këtyre u është dhënë vend i bollshëm, sikundër u është
dhënë edhe një numri zërash kushtuar disa veçorive me lidhje anësore me të parat - veçori të
larmishme, si doket e lidhura me lindjen, martesën dhe varrimet e të vdekurve, doket
gjinore, gjakmarrja e institucionet e të drejtës dokesore shqiptare. Shumë aspekte të kulturës
popullore të palidhura me besimet, doket e zakonet, sikundër janë muzika popullore, arti
dhe kultura materiale nuk janë përfshirë. Megjithatë, në një libër të tillë është e vështirë të
përcaktohen kufijt e saktë se çfarë përbën kulturë popullore e çfarë nuk përbën. Rruga e
ndjekur brenda këtij kuadri të përgjithshëm ka qenë më fort eklektike se e ndarjes së prerë të
kufijve.
Ky Leksiku të Kulturës Popullore Shqiptare paraqet dhe jep për herë të parë në gjuhën angleze
një gamë të gjerë informacioni të panjohur ose pak të njohur në Perëndim. Madje një pjesë të
mirë të këtij informacioni e kanë humbur edhe vetë shqiptarët e sotëm. Në këto rrethana, ky
fjalor mund të shërbejë si bazë të dhënash për lexuesit dhe studiuesit e një numri fushash.
Aty ku ka qenë e mundur, në ndihmë të atyre që duan të thellohen më tej, janë paraqitur të
dhëna bibliografike të hollësishme.
Kultura popullore shqiptare ndodhet sot në një gjendje interesante. Nga njëra anë, sikundër
u tha më sipër, ajo është dhe paraqitet jashtëzakonisht e begatë, sidomos duke patur
parasysh se për dhjetëvjeçarë, madje për shekuj me radhë, shqiptarët kanë jetuar të veçuar
nga pjesa tjetër e Europës. Kultura tradicionale e tyre, me shumë elemente e besime që
ndofta nuk hasen gjetiu, vazhdon të mbetet një minierë ari për antropologët dhe etnografët.
Në disa kuptime, Shqipëria është një muze i gjallë i së kaluarës. Në malet e veriut, për
shembull, ende vihen re mbeturina të dukshme të një kulture e shoqërie fisnore, e cila ka
ruajtur vlera të forta patriarkale e madje shumë nga prirjet epike të së kaluarës.
Nga ana tjetër, kultura popullore në Shqipëri është sot, për fat të keq, jashtëzakonisht e
varfër, e varfëruar në mënyrë të ndërgjegjshme gjatë një gjysëm shekulli diktature staliniste.
Regjimi komunist që sundoi në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë së kohës (1944-
1990) u përpoq me të gjitha mënyrat për të krijuar 'njeriun e ri socialist,' duke shkatërruar
gjithçka para tij. Nën sundimin e Enver Hoxhës (1908-1985), të gjitha besimet dhe zakonet
paramarksiste mendoheshin se binin në kundërshtim dhe vinin në rrezik ndërtimin e
socializmit dhe pushtetin e Partisë e, për rrjedhojë, të paktën në pjesën më të madhe, u fshinë
nga mendjet, zemrat dhe shpirti i shqiptarëve. Si pasojë e drejtpërdrejtë e diktaturës
staliniste, të paktë janë sot në Shqipëri ata individë që dijnë diçka për traditat e tyre
popullore, për shembull për mitologjinë shqiptare ose për fenë dhe besimet popullore.
Mirëpo, një pjesë e mirë e asaj çka ka humbur në Shqipëri fatmirësisht është ruajtur në
kulturat më tradicionale të bashkësive shqiptare në Kosovë e në Maqedoninë perëndimore.
Disa elemente arkaike gjithashtu janë ruajtur gjatë shekujve në ngulimet e vjetra shqiptare të
Italisë jugore e të Greqisë.
Sidoqoftë, është koha që kjo kulturë popullore tradicionale të studiohet me imtësi para se të
ikë e të zhduket përgjithmonë. Disa arritje janë shënuar ndër vite nga studiues shqiptarë
vendës, të cilët kanë regjistruar, dokumentuar, kataloguar e botuar vepra të rëndësishme,
sidomos në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në Institutin e Kulturës Popullore të
Tiranës. Po ende mbetet shumë për të bërë. Nëse ky vëllim jep ndihmesë për të zgjuar
interesime për këtë fushë ose për kulturën shqiptare në përgjithësi, atëhere mund të thuhet
se synimi kryesor është arritur.
Më mbetet të shpreh falënderimin tim për shumë veta, që nga studiuesit dhe specialistët deri
te blegtorët e bujqit, që kanë dhënë ndihmesën e tyre me dijet, mendimet, kohën dhe
interesimin e shfaqur për këtë projekt. Për ndihmën e një natyre më konkrete do të
përmendja në veçanti Heinz Bothien-in (Frauenfeld), Bardhyl Demirajn (Mynih), Arthur
Liolin-in (Boston), Abdurrahim Myftiun (Tiranë), Joan Pelushin (Korçë) dhe Frances Trix-in
(Ann Arbor).
Shestimi i këtij libri nisi në muajt e parë të vitit 1998, në një kohë kur revoltat e vitit 1997 i
kishin shkatërruar tashmë strukturat e shoqërisë e të kulturës popullore në Shqipëri, duke
shkaktuar, ndër të tjera, një eksod tjetër masiv të fiseve malësore drejt vendbanimeve
qytetëse pranë brigjeve të detit. Ishte gjithashtu koha kur hegjemonia e huaj, me strategjinë e
saj të mbrapshtë të spastrimit etnik dhe urrejtjes së verbër, po orvatej të fshinte e të zhdukte
kulturën shekullore, po ende të brishtë, të shqiptarëve të Kosovës, një kohë kur gjenocidi në
Ballkan përsëri po ngrinte kokën e vet të shëmtuar.
Për shqiptarët, vështirësitë dhe privacionet gjithmonë kanë qenë pjesë e jetës. Mbetet të
shpresojmë që populli i shumëvuajtur i Kosovës e i Shqipërisë të rimëkëmbet dhe, me
energjinë dhe vrullin e vet tradicional, të kapërcejë vështirësitë e papërshkrueshme të kohës
së sotme.
Robert Elsie
Shkurt 2000