Home | Print

Robert Elsie

Zhan Klod Faveirial. Historia (më e vjetër) e Shqipërisë
[Përgatitur për botim nga Robert Elsie]
Përktheu Gent Ulqini
Redaktoi dhe pajisi me shënime Qemal Velija

ISBN 99927-982-7-0
Plejad, Tirana 2004
552 pp.

HYRJE

    Për shkak të pozicionit të saj gjeografik, Shqipëria, megjithëse shpesh e izoluar, ka qenë përherë në udhëkryqin e perandorive dhe qytetërimeve. Në lashtësi, për shekuj me rradhë, ajo është gjendur në kufirin politik, ushtarak dhe kulturor ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, në fillim midis perandorisë romake dhe qytetërimit grek, e më pas në Mesjetë, midis Italisë katolike dhe Bizantit ortodoks. Më tej, deri më pushtimin e plotë nga turqët, ajo gjendej në frontin midis Europës kristiane dhe Lindjes islamike. Më në fund, në kohët e sotme, pas 30 vjet pavarësie si shtet, ajo ndërmerr rolin e çuditshëm të një këndi të vogël stalinist, apo më mirë, të themi surrealist, ndërmjet perandorisë sovjetike dhe perëndimit kapitalist e demokratik.
    Në shekullin e tetëmbëdhjetë, historiani britanik Eduard Gibon (1737-1794) e përmend Shqipërinë si një vend përballë Italisë, por të njohur më pak se Amerika në brëndësi. Ata që thonë se pak ka ndryshim, përveçse tani Amerika njihet pakëz më mirë, nuk do ta kishin aspak gabim. Shqipëria, tokë dhe hapësirë kulturore europiane qysh prej lashtësisë, mbetet përherë enigmatike dhe e kuptuar keq, si ajo në gjendjen e shekullit të 18-të, në kohën e Gibonit, edhe në shekullin e 19-të, në kohën e Zhan-Klod Faveirialit, dijetarit të parë që shkroi historinë e saj.

MBI AUTORIN

    Zhan-Klod Faveirial lindi më 25 mars 1817 në Usson en Forez, fshat malor në Auvergne, në lindje të Sent-Etienit. I jati i tij quhej Pjer Faveirial, kurse nëna Zhanë M. Bashëlard. Autori kreu studimet e larta në seminaret e Lionit, dhe erdhi në Paris në vitin 1843, në moshën 26 vjeçare, ku u pranua në Kongregacionin e Misionit Lazarist, më 11 mars. Në 1 qershor 1844, ai u emërua nën-xhakon dhe, 6 muaj më vonë, më 18 dhjetor, u emërua xhakon. Pasi bëri betimin e tij, më 13 mars 1845, ai mori shenjtërimin e Kongregacionit, dhe u bë prift më 17 maj të po këtij viti. Pak kohë më pas, më 1 qershor 1845, ai u dërgua si misionar në Santorini të Greqisë si vendqëndrim të parë, pavarësisht se ai kish dëshirë të shkonte në Kinë.
    Në korrik të vitit 1847, e rigjejmë në Kostantinopojë, ku Kongregacioni mori një strehë, që ishte e një rëndësie të madhe për veprimtaritë e kishës katolike në Perandorinë Otomane. Dhe këtu, në strehën Shën-Benua, autori kalon vitet vendimtare të jetës së tij, ku tek ai zgjohet një interes i veçantë për etnitë e ndryshme të Turqisë Europiane, domethënë, të Ballkanit jugor. Në vitin 1866 ai u dërgua në Selanik, e më pas më 1867 në Manastir (Bitola), qytet që sot gjendet në jugperëndim të Republikës së Maqedonisë. Në atë kohë, Selaniku dhe Manastiri ishin qytete me një popullsi të përzier, dhe qendra të rëndësishme tregëtare të Perandorisë Otomane. Turqia Europiane ishte e populluar sigurisht jo vetëm nga turqët dhe grekët, por edhe prej bullgarëve, popull sllav, që në këtë pjesë të gadishullit quhen maqedonas, prej vllehëve ose arumunëve, që flasin një gjuhë romane në përgjasim me rumanishten e Rumanisë, dhe, më në fund, prej Shqiptarëve me gjuhën e tyre të veçantë, që rrallë gjendej e shkruar në atë kohë. Me përjashtim të një qëndimi të shkurtër në Albi, në vitin 1878, Faveirial duket se ka kaluar pothuaj një gjysëm shekulli në Europën Juglindore, kryesisht në Manastir dhe Kostandinopojë.
    Ndër vitet 1858 dhe 1867, në Strehën Shën-Benua, në brigjet e Bosforit, është koha kur Faveirial filloi të grumbullonte një bibliotekë historike të librave të rrallë në lidhje me shqiptarët, Bullgarët dhe Vllehët. Ai ishte një erudit kureshtar për historira, që pyeste me kujdes udhëtarët dhe bashkudhëtarët, dhe nuk rreshtte së shkruari gjithçka që ai kish dëgjuar të thuhej. Faveirial rrëmonte historinë e popujve të pjesës jugore të Gadishullit Ballkanik dhe i ndihmonte të përgatisnin të ardhmen e tyre. Ai e vizitoi Shqipërinë në vitin 1884, dhe, bashkë me Apostol Margaritin (1832-1902), inspektor i përgjithshëm i shkollave rumune të Perandorisë Otomane, themeloi shkolla në Berat, Korçë dhe Prizren.
    Prej vitit 1859 deri më 1861, Zhan-Klod Faveirial thuhet se ishte shpirti i lëvizjes bullgare. Ai bëhet, gjithashtu, një mik i madhe i vllehëve dhe, nga fundi i jetës së tij, i shqiptarëve. Prej 1867 e deri sa vdiq, ai shërbente në Manastir si profesor i liceut vlleh, ku jepte kurse të gjuhës frënge dhe filozofisë. Bashkë me Margaritin ai themeloi shkolla të tjera (1888-1893), megjithëse nuk gjeti punë si mësues aty. Pas një jete pune ngulmuese, Zhan-Klod Faveirial vdiq në Manastir, më 26 nëntor 1893.
    Në Historia e Misionit Lazarist të Manastirit (1942), Artur Drule na ka dhënë njoftimet e mëposhtëme mbi At Faveirialin:

    "Më 20 shtator 1866, Misioni u shtua me një misionar, tashmë të shquar për rolin që ai luajti në lëvizjen bullgare. Imz. Faveirial ishte nga krahina e Auvergne-s. Fshati në të cilin ai u lind, më 1817, UssonLoire, kufizohej me Puy-de-Dôme, por i përkiste dioqezës së Lionit. Në seminarët e Lionit, ai kreu studimet e tij të larta dhe fetare. U pranua në Kongregacion në vitin 1843. Ai kish pasur dëshirë të bëhej jezuit. Kërkoi të shkonte në Kinë ose në Amerikë, por u dërgua në Lindje. Ai studjoi greqishten, të cilën nuk kish dashur ta mësonte në Seminarin e Ulët. Gjithë jetën e tij ai e kaloi si njeri njëmend origjinal. Në pamjen fizike, tiparet e tij ishin tepër të theksuara, mjekra e çrregullt, dhe zëri i tij i lartë, me një frymë kritike dhe shpesh agresive, që nuk të tërheqnin aspak. Shëndeti i tij i ligur e bënte të heshtur dhe e mbyllte atë në ftohtësi në dhomën e tij. Por kjo dhomë e rrëmujshme zbulonte një artist, ose më mirë një shkrimtar të pasionuar të historisë. Ai studionte gjuhët më të ndryshme, turqisht, italisht, bullgarisht, dhe grumbullonte aty libra të vjetër dhe bashkëkohore në lidhje me popujt ballkanikë. Ai pyeste të huajt që kalonin, dhe pena e tij e palodhur nuk rreshtte së shkruari gjithçka që dëgjonte të thuhej. Në Shën-Benua ai ishte asistent i Imz. Renjiesë dhe, me shakatë e tij, e vinte në telash eprorin. Çështja bullgare i interesonte në mënyrë të veçantë dhe gazeta "La Bulgarie", e drejtuar nga Cankov, ishte mbi të gjitha vepër e tij. Por, kundërshtitë në pikëpamje që ai kishte me Imz. Brunonin, e bëjnë aq të pakënaqur këtë të fundit, sa të realizonte largimin e misionarit. Në këto rrethana, zemërthyer dhe i acaruar, Imz. Faveirial vjen në Manastir. Ai mund të ndihmonte në punën e konvertimit të bullgarëve, por Perëndia duket se e kishte caktuar që të merrej veçanërisht me vllehët, dhe ja përse ai i vihet studimit të gjuhës dhe historisë rumune (fq. 13-14).
    Megjithatë, Imz. Faveirial shkonte gjithnjë përpara. Ai e trajtoi Çështjen e Lindjes nga pikëpamja fetare. I dha dorën e fundit Katekizmit Vllah, dhe siguroi një histori të Shqipërisë. Ai u dërgonte raporte të shumta Vizitorëve, Imz. Bonetit dhe Atit të Shënjtë. Tashmë, ishin shqiptarët subjekt i preokupimeve të tij. Pas lëvizjeve bullgare dhe vllahe, doli në skenë një çështje e ngjashme shqiptare. "Shqiptarët", shkruante ai, "përbëjnë një komb, një racë të fortë e të guximshme, që kërkojnë pavarësinë e tyre. Mirditorët janë për Francën si maronitët e Libanit. Bib-Doda, prijësi i tyre, shpeshherë na ka përsëritur këto fjalë: 'Unë dëshiroj që Kongregacioni të interesohet për Shqiptarët ashtu si për Vllehët, dhe të mos na lërë mënjanë' (fq. 53)."

    Në këtë pasqyrë tepër të shkurtër të momenteve kryesore të jetës së autorit mund të shtohen disa të dhëna mbi Faveirialin, që gjenden në një letër të shkruar në Manastir, më 27 nëntor 1893, nga Imz. Vinsent Dypua, prift i misionit, për të njoftuar Strehën-Amë në Paris mbi vdekjen e dijetarit të madh të gadishullit:

    "Zotërinj e kolegë të dashur. Zoti qoftë me ne! Më 25 nëntor, në orën 11:25 të natës, Imz. Faveirial ndërroi jetë. Ishte një pneumoni që e ndau nga ne. Ai u shua ngadalë, pasi kishte marrë kungatën e pendesës dhe të mirosjes më të lartë. Ishte mjaft i lidhur me vllehët, dhe u pati bërë atyre shërbime të mëdha. Po ashtu, edhe ata ndjejnë keqardhje sinqerisht për të. Ai i ishte përkushtuar kësaj veprimtarie të rëndësishme të quajtur lëvizja vllahe. Ju jeni në dijeni se ky koleg jepte mësim tek vllehët katër kurset e fundit më të përparuara për frëngjishten, duke përfshirë këtu kursin e filozofisë. Ju, po ashtu, e dini që në kolegjin vllah të Manastirit, gjuha franceze ishte shumë e kultivuar. Nga kjo pikëpamje, kjo veprimtari nuk është pa interes, por më duket se urohet me gjithë shpirt kthimi i njerëzve të tillë në bashkësinë katolike. Unë i njoh nga pamja katër priftërinj vllehë që, sipas Imz. Faveirialit, janë katolikë dhe përmendin emrin e Papa Leonit XIII në liturgjitë e tyre, por nuk mund t'iu them ju nëse besimtarët e këtyre priftërinjve janë po aq katolikë. Kolegu im i mori në varr të gjitha sekretet e tij. Kurrë, kurrë ai nuk më ka thënë gjë mbi këto çështje, dhe ja ku jemi para kësaj gjendjeje. Ju e shihni që çështja është tepër e errët, dhe vetëm Imz. Lobri në Kostantinopojë mund të mësojë diçka, pasi në këtë kryeqytet gjendet z. Apostol Margariti, shefi civil i kësaj lëvizjeje skizmatike me Fanariotët. I yni Imz. Faveirial ka punuar në Lindje përgjatë një gjysëm shekulli. Ai ka lënë shumë dorëshkrime. Është një punë mjaft e madhe. Unë guxoj ti kërkoj me anë tuaj që Ati i Shënjtë të na dërgojë një koleg shumë të aftë si historian dhe teolog, që të mund të shqyrtojë këto dorëshkrime. Kjo do të ishte më e thjeshtë sesa ti dërgonim ato në Paris. Kam bindjen se Kongregacioni do të përfitonte shumë nga këto punë. Ky koleg hulumtues, do të duhej të qëndronte rreth një muaj këtu, për ti hedhur një sy për kënaqësinë e tij këtyre shkrimeve dhe kësaj korespondence mjaft të madhe të letrave profesionale në lidhje me bullgarët, vllehet dhe besimin katolik. Sikur ky koleg të sillte me vete një llampë, që të ishte me diametër rreth 15 cm., pasi shkrimi i Imz. Faveirialit është sui generis, dhe shumë i vështirë për tu lexuar...
    Përkujtimet e ardhura në mënyrë proçesionale mbi trupin e pajetë të të ndjerit Imz. Faveirial, janë kurora lulesh natyrore, dhe secilës prej tyre i është bashkangjitur një shirit i zi dy metra i gjatë. Njëra prej tyre është edhe: "Familja Margariti, kujtim i përjetshëm". Një tjetër: "të përnderuarit At Faveirial, nxënësit e liceut rumun", e më tej: "Trupa e profesorëve, për At Zhan Faveirialin". Inxhinjerët francezë, gjithashtu, vunë kurorat e tyre. Konsulli i Austro-Hungarisë, po ashtu, solli një tjetër shumë të bukur. Katolikët e Manastirit, më tej, kanë dhënë një kurorë dhe një cohë të bukur mortuale. Një turmë e madhe njerëzish mori pjesë në ceremoninë funerale të të ndjerit. Aty ishin pesë konsuj: ai austriak, anglez, rumun, serb dhe rus. Konsulli grek mungonte në këtë ceremoni funebre. Ne duhet të ndjejmë keqardhje, pasi, në vend që të ma përkrahte, ai na braktisi, dhe ky është shkaku që ambasada e Francës duhet të na dërgojë për konsull një francez nga Franca. Imz. Faveirial është i dioqezës së Lionit. Ai ka ende të afërm, një mbesë të martuar dhe me fëmijë besoj. Njoftojeni dhe bëni i ditur se xhaxhai i saj vdiq nga një pneumoni pa vuajtje të mëdha. Gjatë gjithë ditës mortore, ne e lamë të ekspozuar në kishëzën e dashur, dhe njerëzia shpreheshin: "Ai po fle, ky At i mirë nuk ka vdekur".

MBI LIBRIN "HISTORIA E SHQIPËRISË"

    Zhan-Klod Faveirial duket se ka shkruar mjaft, por la pak vepra të botuara. Mund të flitet për librat që ai botoi, para së gjithash në gjuhën bullgare, vepra tashmë shumë të rralla. Midis tyre gjenden:

  • Manuel de politesse (Manual i mirësjelljes), në gjuhën bullgare, Kostandinopojë 1858.
  • Dialogues français-bulgares (Dialogje frëngjisht-bullgarisht), Kostandinopojë 1859.
  • Grand catéchisme raisonné à l'usage des Bulgares Unis (Katekizëm i Madh për përdorim të Bullgarëve Unitë), në gjuhën bullgare, Kostandinopojë 1862.

    Nga pena e tij njohim, po ashtu, disa artikuj mbi gjendjen në Manastir, mbi çështjen bullgare dhe liturgjinë bullgare, dhe, më së fundi, një korrespondencë të bëgatë.
    Për fat të keq, thelbësorja e veprës së tij të madhe nuk u publikua kurrë. Midis dorëshkrimeve të rëndësishme të tij gjenden edhe këto:

  • Histoire de l'Albanie (Historia e Shqipërisë), që kemi në dorë.
  • Histoire valaque (Historia vllahe), 1891.
  • Histoire de la presqu'île d'Illyrie (Histori i gadishullit të Ilirisë), s.d.
  • Catéchisme valaque à l'usage des prêtres (Katekizëm vllah për përdorim nga priftërinjtë), 1891.

    Ishte fillimi i viteve 1990, kur autori i këtyre rradhëve kishte dëgjuar për herë të parë zëra mbi një Histori të Shqipërisë të konsiderueshme. Thuhej se dorëshkrimi gjendej në Stamboll. Kërkimet tona në Sulemanije dhe në arkiva të tjera të metropolit turk, nuk nxorrën gjë në dritë, dhe ishte më tepër fati që na udhëhoqi, në pranverën e vitit 1998, drejt kolegjit Shën-Benua në Karakoj, pak hapa larg Bririt të Artë. Kolegji francez i Stambollit gjendet sot në mjediset e strehës së Kongregacionit të Misionit Lazarist. Për dorëshkrimin në fjalë nuk dihej asgjë në kolegj, e për më tepër, që dosja "Shqipëria", dhe pjesa më e madhe e arkivave të Kongregacionit, qenë riatdhesuar në Paris. Më në fund, më 20 shtator 1999, At Iv Danzhu, përgjegjës për arkivat e Strehës-Amë të Bashkësisë së Misionarëve Lazaristë në Paris, na sinjalizoi rastësisht zbulimin e saj, të veprës më të rëndësishme të Faveirialit.
    L'Histoire de l'Albanie (Historia e Shqipërisë) e Zhan-Klod Faveirialit ishte shkruar midis viteve 1884 dhe 1889. Dorëshkrimi, që përmban 483 faqe, është vepër e shumë duarve. Mund të llogaritet se At Faveirial ia ka diktuar ndihmësve të tij në Manasitr. Ai përmban, gjithashtu, korrigjime dhe shtesa nga dora e autorit. Megjithë këto ndryshesa, të krijohet përshtypja se autori nuk e kishte përfunduar menjëherë punën e tij të madhe, dhe se ai, po se të kishte rastin të botonte Historinë e Shqipërisë, do të kishte bërë edhe disa ndryshime si dhe korrigjime të shumta. Ndoshta do të kishte shtuar, po ashtu, edhe disa kapituj për të dhënë një pamje më të plotë të historisë së këtij rajoni.
    Sido që të jetë, Historia e Shqipërisë e Zhan-Klod Faveirialit është vepër e një rëndësie të madhe kulturore për popullin shqiptar. Ajo është vepra e parë që gjurmon historinë e plotë të Shqipërisë, nga lashtësia deri në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Faveirial, duhet thënë, nuk kishte një koncept të qartë dhe të saktë për shqiptarët në tërësi si komb dhe si popull, siç njihen në kohët e sotme. Historia e tij është, më saktë, ajo e një treve juglindore europiane, me popullsitë e saj të ndryshme: Shqiptarët sigurisht, por gjithashtu edhe vllehët e Pindit, grekët, turqët dhe sllavët. Po ashtu, Historia e Shqipërisë është për më tepër historia e gjithë pjesës juglindore të Gadishullit Ballkanik, duke përfshirë këtu, jo vetëm Shqipërinë e sotme, por edhe Epirin, Malin e Zi, dhe gjithe Maqedoninë. Lexuesi do të gjejë, gjithashtu, informacione të rëndësishme mbi historinë e kishës katolike në Ballkan, duke perfshirë këtu hollësitë interesante mbi historinë e Patriarkatit të Ohrit (1394-1767).
    Vepra e Faveirialit pasqyron njohuritë e historisë së Ballkanit për sa ishin në atë kohë, dhe para së gjithash, mënyrën e të shkruarit. Autori duket se ka përdorur të gjitha burimet e rëndësishme të historisë ballkanike, të shfaqura deri në ditët e sotme: Aravantinos, Ami-Bué, Kanty, Dezobri dhe Bashële, Farlati, Hamer-Purgshtal, Hekard, Lavale, Le Bo, Lekian, Puarson e Kais, dhe, mbi të gjitha, të madhin Pukëvil. Ai ishte, gjithashtu, në dijeni të veprave të letërsisë shqipe, për shembull, të autorëve klasikë të shekullit të 17-të, si Budi, Bardhi (Bianchi) e Bogdani.
    Megjithëse kjo nuk përkon tërësisht me kërkesat e lexuesit bashkëkohës, apo të studiuesit të historisë ballkanike ose fetare, dhe megjithëse nuk është tërësisht e besueshme në fakte, ashtu siç njihen ato sot, pas një shekulli kërkimesh të mëtejshme, Historia e Shqipërisë e Zhan-Klod Faveirialit është një vepër plot me njoftime të reja dhe përfshin hollësi të shumta që nuk gjenden kund tjetër. Lexuesi do të vërë re, qysh në fillim, se autori e shkruan historinë e tij me pasion dhe entuziazëm, por që nuk i shpëton dot vlerave dhe paragjykimeve fetare dhe kombëtare të mjedisit dhe kohës së tij. Faveirial është një prift katolik që punonte në zemër të një rajoni ortodoks të Perandorisë Otomane. Armiqësitë e dukshme që ai ushqente, për shembull kundër Ortodoksisë greke, - dhe, duhet theksuar, kundër grekëve në përgjithësi, - ndoshta e bëjnë lexuesin bashkëkohës të vërë buzën në gaz. Atij i falen këto teprime, të cilat shërbejnë, në të njëjtën kohë, për të pasqyruar frymën e kohës së tij.

NJË MONUMENT I HISTORIOGRAFISË BALKANIKE

    Historia e Shqipërisë e Zhan-Klod Faveirialit është një vepër me rëndësi kulturore, pasi ajo përbën librin e parë që i kushtohet tërësisht historisë së këtyre vendeve ballkanike. Nga pikëpamja e konsolidimit të vonshëm të shqiptarëve si popull në tërësi, e mbi të gjitha, të Shqipërisë si shtet, dhe ndoshta, po ashtu, për shkak të anëve enigmatike të historisë shqiptare, veprat e tjera të shekullit të 19-të, si dhe vetë të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit 20-të, janë të rralla dhe për më tepër të pjesëshme.
    Si krahasim, duhen vënë në dukje edhe faktet e mëposhtëme. Pothuaj në të njëjtën kohë që At Faveirial hartonte Historinë e Shqipërisë, doli në Itali Le Istorie albanesi (Histori shqiptare), Salerno 1886, vepër në katër vëllime e Françesko Tajanit. Po në shekullin e 19-të, ndeshet, gjithashtu, historia e parë e këtij vendi në gjuhën shqipe T'nnollunat e Sccypniis prei gni Gheghet ci don vènnin e vet, Aleksandri 1898, të shqiptarit Stefë Curani (1865-1941). Në fillim të shekullit 20, del botimi i Historia é Shcypniis ch'me fillése e déri me kohe ku ra ne dore te Turkut, Bruksel 1902, vepër me 416 faqe, e shkruar nga prozatori i parë i madh i letërsisë shqipe, Ndoc Nikaj (1864-1951).
    Gjatë luftës së parë botërore, Shqipëria, shtet i pavarur qysh prej vitit 1912, por vend kufitar i Perandorisë Austriake, tërheq për hërë të parë vëmendjen e historianëve seriozë të botës gjermanishtfolëse. Ndër veprat kryesore të asaj kohe gjenden:

  • Geschichte von Montenegro und Albanien (Historia e Malit të Zi dhe e Shqipërisë), Gotha 1914, e Spiridion Gopçeviçit, dhe
  • Geschichte Albaniens (Historia e Shqipërisë), Laipcig 1914, e Karl Roth.

    Pak kohë më pas, doli në frëngjisht Brève histoire de l'Albanie et du peuple albanais (Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar), Bukuresht 1919, e historianit të madh rumun Nikolla Jorga (1871-1940), libër modest prej 68 faqesh.
    Arkivat e Kongregacionit të Misionit Lazarist në Paris përmbajnë, gjithashtu, dokumenta të tjera të rëndësishme për historinë e Shqipërisë dhe për historinë e kishës katolike tek Shqiptarët në fund të shekullit të 19-të. Bëhet fjalë, mes tjerash, për dokumenta dhe korrespondencë të shkruar nga personalitete të asaj periudhe, disa të njohur, e të tjerë të harruar tashmë. Midis tyre mund të përmenden emra si: princi Prenk Bib Dodë Pasha (vdekur më 1920), Davidika Bib Doda, Margjela Bib Doda, Imz. Dario Buçareli (1827-1878), Imz. Fulgenc Carev, Abat Doçi (1846-1917), Gjon Pjetër Karadaku, Fransua-Ksavier Lobri, André Logoreci, Simon Lumezi, Anton Bytyçi, Mikel Tarabulluzi dhe Gjergj Çako.
    Pjesa më e madhe e dokumentave të këtyre arkivave, që më parë gjendeshin në kolegjin Shën-Benua në Stamboll, u riatdhesuan tashmë në Paris, por, për fat të keq, nuk ka inventar të përpiktë, ngaqë liceu në Stamboll u pushtua nga ushtarët turq më 1914, dhe disa dokumenta u zhdukën që atëhere. Përsa i përket bibliotekës së madhe të librave që At Faveiriali kishte grumbulluar, duke përfshirë këtu pa dyshim shumë nga dorëshkrimet e tij, duket se janë shkatërruar gjatë rënies së zjarrit në qendrën e Misionit në Manastir, në korrik të vitit 1909.
    Duke botuar këtë libër, më se një shekull më pas, më mbetet vetëm të falenderoj Misionin Lazarist ne Paris, dhe në veçanti, At Iv Danzhu dhe Paul Henzman, për ndihmën dhe bujarinë e tyre, dhe të shpresoj se vepra e madhe e Zhan-Klod Faveirialit, e gjetur më së fundi, pas një shekulli zhdukjeje, do të lexohet e vlerësohet nga lexuesi i shekullit të 21-të.

Robert Elsie
Olzheim (Eifel), Gjermani, 2001

Impressum | Datenschutz