Home | Print

Robert Elsie

Histori e letërsisë shqiptare
Përktheu nga anglishtja Abdurrahim Myftiu

Dukagjini, Tirana & Peja 1997
686 pp.

PARATHËNIE E BOTIMIT SHQIP

    Origjinali në gjuhën angleze i kësaj Historie të Letërsisë Shqiptare u shkrua gjatë një periudhe prej pesë vjetësh, nga 1988 deri më 1993, dhe u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me pak vonesë më 1995. Vitet e grumbullimit e të studimit të materialit dhe përgatitja e këtij libri përkuan me vitet e kthesës dramatike për popullin shqiptar. Nata e gjatë e diktaturës dhe terrorit komunist në Shqipëri më në fund mbaroi, duke e lënë vendin të rrënuar, kurse njerëzit në dëshpërim e kaos. Populli i Kosovës nga ana e tij, i cili, krahasuar me vetë Shqipërinë, kishte gëzuar njëfarë demokracie dhe lirie individuale gjatë viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, e pa vendin e vet të përpirë nga valët e histerisë nacionaliste e të pushtuar ushtarakisht, sikundër të kishte rënë pré e një oreksi të panginjur prej ujku. Asgjë nuk ka mbetur ashtu siç ishte.
    Kjo Histori e Letërsisë Shqiptare është një përpjekje për të trajtuar zhvillimin historik të letërsisë në gjuhën shqipe nga fillimet deri rreth vitit 1990. Libri u shkrua duke pasur parasysh lexuesin e huaj, me synimin që t’i paraqitej botës së jashtme një kulturë në thelb e panjohur, ndonëse kulturë evropiane. Për këtë arsye, kërkesat për një përkthim shqip të kësaj vepre i pritëm në fillim me njëfarë ngurrimi. Normalisht, nuk i takon një ‘vëzhguesi të huaj’ të shkruajë një histori të letërsisë shqiptare për vetë shqiptarët, kur studiuesit vendës sigurisht kanë një njohje më të mirë e më të thellë të kulturës së tyre. Por, megjithatë, pranuam të përkthehet në gjuhën shqipe kryesisht për shkak të mungesës së vazhdueshme të çfarëdo historie tjetër letrare gjithëpërfshirëse e ideologjikisht asnjanëse. Nuk mund të pritet tani për tani që studiuesit shqiptarë, të izoluar siç qenë, të varfër siç janë dhe pa mjete moderne në dispozicion (biblioteka të pajisura mirë, qendra studimore, kompjuter e internet), siç do të jenë edhe për një farë kohe, të mundin menjëherë të përmirësojnë gjendjen. Përdorimi edhe më tej i teksteve standarde të së kaluarës me një vështrim të njëanshëm e konformist, e në thelb të shtrembëruara e të censuruara nga ekstremistë politikë, vetëm se do të pengojë përparimin kulturor e intelektual të shqiptarëve.
    Besojmë se lexuesi shqiptar do të na falë ndonjë karakteristikë a gjurmë ‘të huaj’ që mund të gjejë në këtë punim, p.sh. një prirje të lehtë për të anuar nga burimet e jashtme e jo nga ato në gjuhën shqipe, digresione dhe shpjegime që mund të jenë të tepërta për të, dhe ndonjë rast mungese etike ndaj gjërash që në Ballkan mbahen të shenjta.
    Në krahasim me variantin në gjuhën angleze, janë bërë ndryshime dhe përmirësime të vogla, kurse disa pjesë të origjinalit janë lënë jashtë. Bibliografia është përditësuar disi, por nuk është bërë ndonjë orvatje serioze për të përfshirë në tekstin e librit zhvillime më të reja të letërsisë shqiptare, domethënë ato rreth vitit 1990 e këndej.
    Për sa i përket letërsisë së sotme dhe autorëve bashkëkohorë të përmendur në krerët e fundit të këtij libri, vlen të theksohet se ata janë vetëm disa prej shkrimtarëve të shumtë që kanë dalë në Shqipëri, në Kosovë dhe në vise të tjera shqipfolëse dhe që mund të kishim paraqitur. Nuk ka ardhur ende koha për një radhitje përfundimtare sipas parimesh krejtësisht estetike. Siç e kam theksuar përpara, është lexuesi vetë që do të japë gjykimin përfundimtar për të gjitha veprat. Kështu, do të kërkoja prej tij që t’i lexojë krerët e kësaj vepre si një prezantim të mundshëm dhe jo si një botim zyrtar. Kjo kërkesë nga ana ime vlen në fakt për gjithë librin. Një histori letërsie nuk është dhe nuk mund të jetë unike, si të thuash e shkruar një herë dhe e dhënë përgjithmonë. Mendoj, se aty ka hapësirë për prezantime nga më të ndryshmet, me të cilat kuptohen mendime e trajtime të saj.
    Autori dëshiron të falënderojë edhe një herë shumë miq e kolegë për ndihmën dhe inkurajimin e tyre. Ndër ta në radhë të parë janë: Abdurrahim Myftiu për punën aq të mundimshme të përkthimit të një vepre kaq të gjatë e të imtë në një shqipe të rrjedhshme e të saktë; Maks Gjinaj, bibliograf i cilësuar në Bibliotekën Kombëtare, që ma ka lehtësuar shumë punën për njohjen dhe konsultimin e veprave e të studimeve për letërsinë shqiptare; dhe Emil Lafe në Akademinë e Shkencave për redaktimin e kujdesshëm letrar si edhe për një varg saktësimesh e sugjerimesh të vlefshme. Një falënderim i veçantë i drejtohet Shoqatës Gjermane për Bashkëpunimin Teknik (Deutsche Gesellschaft für Technische Zusammenarbeit), agjensi e qeverisë gjermane, për mbështetjen bujare financiare që bëri të mundur botimin shqip të kësaj vepre.
 
    Robert Elsie
    Pranverë 1997

TPËRMBAJTJA

  • Parathënie e botimit shqip
     
  • Parathënie e botimit anglisht
     
  • Shqiptarët dhe gjuha e tyre
     
  • Historia e hershme e shqiptarëve
    Nga Iliria deri te Bizanti
    Përmendjet më të hershme për shqiptarët
     
  • Lindja e letërsisë së shkruar në Shqipëri
    Traditat humaniste të Rilindjes evropiane
    Fillimet e shkrimit shqip
     
  • Fillimet e letërsisë në Shqipëri. Shekujt XVI e XVII
    Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)
    Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë (1592)
    Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)
    Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635)
    Pjetër Bogdani dhe Cuneus prophetarum (1685)
    Veprat dytësore të shekullit të shtatëmbëdhjetë
    Përfundime
     
  • Shkëlqimi i Orientit. Letërsia myslimane e shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX
    Kushtet historike dhe kulturore
    Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan turqisht.
    Letërsia e bejtexhinjve
    Shkrimtarë minorë të periudhës
    Përfundime
     
  • Trashëgimia e Bizantit. Shkrimet në traditën ortodokse në shekullin XVIII dhe në fillimin e shekullit XIX
    Përçarje në identitetin kulturor
    Shqipja me alfabet grek e me alfabete të tjera
    Fjalorë dhe gramatika
    Përfundime
     
  • Sotto il sereno cielo italiano (Nën qiellin e kthjellët italian). Letërsia arbëreshe në shekujt XVIII e XIX
    Emigrimi shqiptar në Itali
    Letërsia arbëreshe në shekullin e tetëmbëdhjetë
    Gjurmë të fundit të shkrimeve katolike në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë
    Jeronim De Rada dhe letërsia arbëreshe e shekullit të nëntëmbëdhjetë
    Poetë romantikë: Françesk Santori, Gavril Dara i Riu dhe Zef Serembe
    Shkrimtarë të tjerë arbëreshë të shekullit të nëntëmbëdhjetë
    Ndihmesa e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë që shkruan italisht
     
  • Letërsia myslimane dhe bektashiane 1850-1950
    Arti bektashian
    Rënia e traditës myslimane
     
  • Periudha e Rilindjes. Letërsia e zgjimit kombëtar shqiptar
    Fillimet e ndërgjegjes kombëtare (1830-1850)
    Letërsia katolike shkodrane e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë
    Vëllezërit Frashëri dhe letërsia e romantizmit kombëtar të Rilindjes
    Letërsia toske e Jugut të Shqipërisë nën ndikimin kulturor grek
    Shkrimtarët gegë veriorë të Shkodrës
    Përpjekjet për shkollën
    Zbulimi i letërsisë gojore
    Lindja e gazetarisë shqiptare
    Figura minore të letërsisë së Rilindjes
    Përfundime
     
  • Rrymat e letërsisë shqiptare nga fillimi i shekullit XX deri më 1944
    Vështrim i përgjithshëm historik i periudhës së pavarësisë
    Poetë të periudhës kalimtare: Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda dhe Asdreni.
    Faik bej Konica, Fan Noli dhe të tjerë me banim në Amerikë
    Gjergj Fishta, zëri i kombit
    Migjeni dhe Lasgush Poradeci, lajmëtarët e bashkëkohësisë
    Poetë të tjerë shqiptarë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët
    Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli dhe proza e periudhës së pavarësisë
    Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare deri më 1944
    Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë
     
  • Letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës (1944-1985) dhe dalja nga izolimi
    Kushtet politike dhe historike
    Vërshimi i realizmit socialist. Letërsia shqiptare e pasluftës deri më 1961
    Ismail Kadare, vullneti për të ecur përpara
    Prozatorë të tjerë nga 1961 deri më sot
    Poezia e sotme në Shqipëri
    Dramaturgjia në Shqipëri nga viti 1944 deri më sot
     
  • Letërsia shqiptare në Kosovë
    Vendi i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi
    Lindja e prozës shqiptare në Kosovë
    Poezia në Fushën e Mëllenjave
    Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare në Kosovë
     
  • Gjaku ynë i shprishur. Letërsia shqiptare e shekullit XX në Itali e diasporë
    Etapa e pjekurisë për letërsinë dhe studimet arbëreshe
    Letërsia e sotme arbëreshe
    Shkrimtarët shqiptarë në diasporë
     
  • Kronologji e letërsisë shqiptare
     
  • Bibliografi

Download full text | PDF | 2 MB

Impressum | Datenschutz